Është e mrekullueshme të kesh shumë miq, por është gjithashtu e mrekullueshme të kesh një mik.
Nuk ka rëndësi sa miq keni, rëndësi ka raporti juaj i ndërsjellë. Të kesh një mik do të thotë të kesh dikë të cilit mund t'i besosh, dikë tek i cili mund të mbështetesh, dikë me të cilin mund të ndash gëzimin dhe pikëllimin tënd. Miqësia mund të përfshijë gjërat më të vogla dhe më të thjeshta, si për shembull: të të ftojë që ta shoqërosh në shitore, të ndajë ushqimin e tij me ty, të të ftojë të bashkohesh në ndonjë lojë, por mbulon edhe ato gjëra më komplekse si për shembull: ta ndihmosh në ndonjë situatë, ta këshillosh për diçka që e shqetëson dhe ngjashëm.
Duhet të kihet parasysh se miqësia ndonjëherë nuk është një detyrë e lehtë, sepse ndonjëherë mund të ndodhë që në një temë të keni mendime apo preferenca të kundërta, njëri ka një dëshirë apo nevojë dhe tjetri krejtësisht tjetër. Kjo nuk do të thotë që ju duhet të debatoni ose të ndaloni së foluri për shkak se dëshirat ose mendimet tuaja nuk përputhen. Kur bëhet fjalë për qëndrimet, duhet ta respektoni dhe pranoni mendimin e tjetrit, gjë që nuk do të thotë se duhet të ndryshoni mendimin tuaj. Kur bëhet fjalë për dëshirat, për shembull nëse njëri dëshiron të luajë monopol dhe tjetri dëshiron të luajë symbyllazi, atëherë mund të bëni kompromis, të merreni vesh që gjysmën e kohës ta luani njërën lojë, ndërsa gjysmën e kohës tjetër ta luani lojën tjetër, ose mund të gjeni një lojë krejtësisht tjetër që ju përshtatet të dyve.
Miqtë shpesh mund t’i ndiejmë si familje jonë e dytë, sepse kalojmë shumë kohë me ta dhe ndajmë kaq shumë momente. Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se ne të gjithë jemi të ndryshëm dhe të gjithë jemi të veçantë dhe unikë në mënyrën tonë. Megjithëse mund të takoni një fëmijë që ka ngjyrë tjetër flokësh ose ngjyrë lëkure, kjo nuk do të thotë se duhet ta shpërfillni apo të mos shoqëroheni me të. Ndoshta do të takoni fëmijë që ka vështirësi në të folur ose mund të takoni fëmijë të cilit i nevojitet ndonjë vegël ndihmëse për të lëvizur, kështu që vetëm pse ai ose ajo është ndryshe nga ju nuk do të thotë se nuk duhet të shoqëroheni me të. Përkundrazi, diversiteti nuk duhet të jetë pengesë në krijimin dhe mbajtjen e miqësive, por një urë lidhëse mes dy botëve që së bashku mund të krijojnë një lidhje të mrekullueshme dhe të kontribuojnë shumë gjëra pozitive për njëra-tjetrën. Çdo miqësi është një dhuratë e çmuar që na jep jeta dhe ne mund të nxjerrim mësime nga çdo miqësi.
“Miku është gjëja më e mirë që mund ta keni dhe gjëja më e mirë që mund të jeni.” – Dagllas Pegëlls.