Parents and Guardians

Disponimet: Si t'u ndihmohet fëmijëve në pubertet dhe adoleshentëve t'i kontrollojnë ngritjet dhe uljet emocionale

Për fëmijët nga 9 deri në 18 vjeç

Nëse jeni prind i adoleshentit, me siguri keni qenë dëshmitar i një periudhe emotive, siç është adoleshenca. Mund ta keni të vështirë të përballeni me ndryshimet e tyre në disponim nga shqetësimi përfundimtar në një minutë deri te dëshpërimi i thellë në minutën tjetër. Mund të pyesni veten pse jeta emocionale e adoleshentëve është kaq e vështirë dhe në cilën mënyrë ndryshon nga përvojat emocionale që i përjetojmë në moshat e tjera.

Disponimet janë shenjë se fëmija juaj  kalon emocione më komplekse, më të pjekura dhe  përpiqet t'i kuptojë dhe kontrollojë ato. Kjo është pjesë shumë e rëndësishme e zhvillimit të adoleshentëve. Ju luani rol të rëndësishëm për të ndihmuar fëmijën Tuaj në këtë pjesë të zhvillimit të tij.

 

Më shumë mbi disponimet e adoleshentëve

Disponimet, ose ndryshimet emocionale - ngritjet dhe uljet, janë dukuri normale në jetën e të rinjve, si dhe të të rriturve.

Është e natyrshme që adoleshentët të ndihen të gëzuar dhe të emocionuar në disa ditë dhe në ditë të tjera të padisponuar, indiferentë, depresivë ose të pikëlluar. Është gjithashtu normale që adoleshentët të kenë nevojë për më shumë privatësi ose të jenë vetëm. Në adoleshencë, këto ndryshime emocionale mund të ndodhin më shpesh dhe mund të jenë më ekstreme.

Ngritjet dhe uljet emocionale nëpër të cilat kalon fëmija Juaj mund të ndodhin për një sërë arsyesh - fizike, emocionale, sociale dhe psikologjike - dhe jo për ndonjë arsye të veçantë. Shpesh nuk do të jeni në gjendje të përcaktoni pse fëmija juaj ndihet mirë apo keq, as që fëmija do ta dijë.  

Ndryshimet emocionale: pse ndodhin

Faktorët fizikë

Të rinjtë kalojnë nëpër ndryshime të mëdha fizike gjatë adoleshencës.

Trupat e tyre ndryshojnë, gjë që mund t'i bëjë më të vetëdijshëm dhe madje të turpshëm, ose t'i bëjë të duan më shumë privatësi dhe më shpesh të jenë vetëm. Fëmijët që zhvillohen më shpejt ose më ngadalë se moshatarët e tyre mund të jenë të ndjeshëm ndaj këtyre ndryshimeve fizike.

Një faktor tjetër fizik është nevoja për gjumë. Adoleshentët kanë nevojë për 8 deri në 10 orë gjumë dhe sa kohë flenë mund të ndikojë në disponimin e tyre.

Shujtat e rregullta, me vlera ushqyese dhe aktiviteti i mjaftueshëm fizik janë të domosdoshme për shëndetin fizik të fëmijës tuaj dhe mund të ndihmojë në ndryshimet emocionale.

Truri

Truri në adoleshencë pëson shumë ndryshime.

Për shembull, ndryshimet në tru bëjnë që trupi i fëmijës Tuaj të sekretojë hormone seksuale. Këto hormone shkaktojnë ndryshime fizike, si dhe ndjenja seksuale dhe romantike. Këto ndjenja mund të jenë shumë të forta dhe ndonjëherë mund ta hutojnë fëmijën tuaj.

Truri i fëmijës tuaj do të vazhdojë të ndryshojë deri në fillim të viteve të njëzeta të jetës së tij. Pjesa e fundit e trurit që ndryshon është korteksi paraballor, i cili është i lidhur ngushtë me zonat që i rregullojnë dhe kontrollojnë emocionet. Kjo do të thotë që fëmija juaj mund ta ketë të vështirë t'i kontrollojë disa nga emocionet më të forta dhe mund të duket se reagon më emocionalisht se më parë. Fëmija është ende duke mësuar se si t'i përpunojë dhe shprehë emocionet e tij në mënyrë të rritur.

Faktorët socialë dhe emocionalë

Mendimet e reja, emocionet e reja, miqtë e rinj dhe obligimet e reja - të gjitha ato mund të ndikojnë në mënyrën se si ndihet fëmija juaj.

Në procesin e pavarësisë, fëmija juaj mëson se si të zgjidhë një numër të madh problemesh. Shpenzon më shumë kohë duke menduar për miqësitë, shkollën dhe marrëdhëniet familjare.

Situatat stresuese në familje mund të ndikojnë gjithashtu në disponimin e fëmijës tuaj.

Ndihmojini adoleshentët të kenë më shumë disponime të mira sesa të këqija

Ka disa gjëra që mund t'i bëni për ta ndihmuar fëmijën tuaj të ketë disponim të mirë sesa të keq.

Së pari, identifikoni gjërat që fëmija juaj tashmë i pëlqen. Mund të jetë një sport i preferuar, të kaloni kohë me miqtë e vjetër, të dëgjoni muzikë ose të luani, të vizatoni, të krijoni përmbajtjen tuaj digjitale (prezantime, video në Jutjub, etj.), etj. Praktikimi i gjërave të preferuara do ta ndihmojë fëmijën tuaj të ndihet i sigurt dhe i vetëbindur dhe në të njëjtën kohë i japin bazë për të eksploruar interesa të reja.

Mundeni, gjithashtu, ta ndihmoni të gjejë aktivitete të reja që do ta sfidojnë atë dhe do ta ndihmojnë të vendosë qëllime të reja dhe të bëjë miq të rinj. Kjo mund të jetë të mësuarit për të luajtur në instrument të ri ose bashkimi me ndonjë grup social. Por, në vend që t'i zgjidhni aktivitetet për fëmijën tuaj, mund të përpiqeni të dëgjoni me kujdes se çfarë i pëlqen ose nuk i pëlqen, për të fituar njohuri se cilat mund të jenë interesat e reja.

Ndihmoni adoleshentët t'i kontrollojnë disponimet

Nuk mund ta parandaloni që fëmija juaj të ndihet indiferent ose keq. Por, ka shumë gjëra që mund t'i bëni për ta ndihmuar fëmijën t'i kontrollojë ndryshimet në disponim.

Ndihmoni fëmijën tuaj t'i pranojë ndryshimet në disponimin e tij

Mund t'i ndihmojë shumë fëmijës tuaj të dijë se është krejtësisht normale të ketë ngritje dhe ulje emocionale. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është t'i tregoni fëmijës tuaj se edhe ju ndonjëherë mund të ndiheni të padisponuar ose indiferent.

Është gjithashtu e rëndësishme që fëmija juaj të dijë se jeni pranë tij / saj gjithnjë kur nuk ndihet i disponuar ose kur kalon një periudhë të vështirë. Mjafton t'i thuash: “E kuptoj që po kalon një ditë të vështirë”.

Qëndroni të lidhur me fëmijën tuaj

Lidhja dhe dëgjimi aktiv që i ndodh fëmijës tuaj në jetën e përditshme do t'ju ndihmojë të kuptoni më lehtë se çfarë i shkakton ngritjet dhe uljet emocionale të tij / saj. Ndonjëherë, aktivitetet e përditshme si transportimi i fëmijës tuaj me makinë ose shikimi i televizorit së bashku janë momentet më të mira kur fëmija juaj mund të ndajë me ju atë që i ka ndodhur.

Jepini hapësirë fëmijës tuaj

Të rinjtë ndërtojnë pavarësinë dhe merren me gjëra të reja çdo ditë. Prandaj, përpiquni t'i jepni fëmijës tuaj hapësirë ​​dhe kohë për veten, që të mendojë për emocionet e reja dhe përvojat e reja. Sigurisht, thoni se jeni këtu nëse dëshiron të bisedojë.

Përmbahuni nga dhënia e zgjidhjeve

Nëse ka problem, biseda për zgjidhjet e mundshme është e mrekullueshme për fëmijën tuaj, por fëmija juaj duhet të kontribuojë në gjetjen e zgjidhjes së duhur dhe të ndiejë se është e tij. Gjithashtu, ka më shumë gjasa të provojë zgjidhjen nëse ndien se ka ardhur prej tij, se nuk është imponuar.

Në të njëjtën kohë, zgjidhja e problemeve është aftësi jetësore që fëmija juaj mund ta përsos nëse e praktikon atë. Duke i kushtuar kohë dhe energji zhvillimit të aftësive të fëmijës tuaj për zgjidhjen e problemeve, i dërgoni mesazh që e vlerësoni kontributin e tij në marrjen e vendimeve që ndikojnë në jetën e tij / saj.

Punoni së bashku për të zhvilluar strategjitë për tejkalimin e problemeve

Të mësuarit se si t'i tejkalosh dhe t'i kontrollosh ngritjet dhe uljet emocionale është një nga gjërat më të mira të adoleshencës. Dhe ju mund ta ndihmoni fëmijën tuaj ta zhvillojë këtë aftësi të rëndësishme jetësore.

Një mënyrë për ta bërë këtë është të bëni listë të "përmirësuesve të disponimit" së bashku me fëmijën tuaj. Këtu janë disa gjëra që fëmija juaj mund t'i bëjë për ta përmirësuar disponimin e tij:

  • Dëgjimi i këngës gazmore ose të preferuar
  • Ecja e shpejtë
  • Përkëdhelja e qenit
  • Përqafimi me ju.

Është mirë të ketë më shumë gjëra në listë, në mënyrë që të provojë gjëra të ndryshme dhe të shoh se cilat janë më efikase.

Bëhuni shembull për të

Ju jeni akoma shembulli më i mirë i fëmijës tuaj. Fëmija juaj do t'ju shikojë se si përballeni me momentet e vështira. Mendoni se si ju shikon fëmija juaj kur kaloni kohë të vështira dhe se si përballeni.

Më shumë se disponimet: kur adoleshentët ndihen të padisponuar gjatë gjithë kohës

Ndonjëherë, ndjenja e vazhdueshme e të qenit i padisponueshëm ose indiferent mund të jetë shenjë se bëhet fjalë për diçka më serioze.

Të rinjtë mund të ndihen të padisponueshëm disa minuta, orë, ditë ose më gjatë. Nëse fëmija juaj duket i padisponuar, indiferent, i irrituar ose i pikëlluar për dy ose më shumë javë, ose nëse vëreni se disponimi e pengon t'i bëjë punët e tij të përditshme, kjo mund të jetë shenjë e problemit më serioz të shëndetit mental.

Nëse jeni të shqetësuar për emocionet dhe sjelljen e fëmijës tuaj, është e rëndësishme të bisedoni me të dhe të kërkoni ndihmë nga personi profesionist i shëndetit mental (psikologu ose psikiatri). Mjeku juaj amë mund t'ju ndihmojë ta gjeni personin e duhur.

Shumica e adoleshentëve që kanë probleme të shëndetit mental shërohen mirë nëse marrin trajtimin e duhur, veçanërisht nëse fillojnë në kohë / herët në fillimin e problemit.

Fëmija juaj mund të dëshirojë të telefonojë Alo Bushavko në 070 390 632. Në mirëbesim, do të marrë këshillim telefonik anonim për të rinjtë e moshës nga 6 deri në 18 vjeç. Alo Bushavko ofron gjithashtu këshillim nëpërmjet opsionit për çat (bisedë duke shkruar mesazhe në kohë reale) dhe këshillim me email.

Super User